RTSH 24 Live

Sociale

Kalaja e Ishmit tërheq vëmendjen e turistëve, ofron pamje të detit, maleve dhe histori

07/05/2024

Kalaja e Ishmit tërheq vëmendjen e turistëve, ofron pamje të detit, maleve dhe histori

Kalaja e Ishmit po kthehet dita-ditës në një vend të frekuentuar nga turistë vendas dhe të huaj. Ajo gjendet afro 50 kilometra larg nga Durrësi, majë një kodre me pamje dhe peizazh të mrekullueshëm. Një pjesë e mirë e rrugës për të mbërritur aty të ofron një gjelbërim të mahnitshëm në pyjet e vogla të Ishmit.

E ndërtuar në shekullin XVI nga turqit, kalaja e Ishmit nga lartësia e fortesës ofron pamjen mahnitëse të Adriatikut, fushave dhe maleve nga Tirana, e deri në Ulqin.  Studiuesi Përparim Taipi thotë se kalaja vizitohet nga shumë njerëz.

Në afërsi të hyrjes së kalasë gjendet varri i piktorit të famshëm me famë botërore, Ibrahim Kodra.

Më herët kalaja u nënshtrua procesit të restaurimit falë projektit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. 

Restaurimi përfshiu riparimin e mureve fortifikuese dhe vazhdoi me rindërtimin dhe konsolidimin e terrenit dhe peizazhit brenda saj.

/rtsh/