RTSH 24 Live

Kulturë

Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Gonxhja: Çdo javë do t'i kushtohet traditave të disa vendeve nga e gjithë bota

01/05/2024

Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Gonxhja: Çdo javë do t'i kushtohet traditave të disa vendeve nga e gjithë bota

Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli sot siparin, në ceremoninë e mbajtur në sheshin “Skënderbej”. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se për 7 muaj rresht, deri në nëntor, çdo javë do t’i kushtohet traditave të disa vendeve nga e gjithë bota.

Gonxhja bëri me dije se kalendari fillon me Francën, dhe vijon më pas me Greqinë, Italinë, Brazilin, Hungarinë etj..

Çelim sot Javët Kulturore Ndërkombëtare, që do të rrokin tërë vendin për 7 muaj rresht, deri në Nëntor, nisur nga Tirana, për të mbushur salla, Teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra, me programe të pasura aktivitetesh nga mbi 20 shtete! Kaleidoskop rrezesh e ngjyrash! Nga nesër merr jetë Java e Europës, si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim, e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër e Tiranë!

Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosovën! Fqinj apo miq të largët, në sofrën e dashur shqiptare, ditë e natë, si në shtëpinë tuaj”, tha Gonxhja.

Në ceremoninë festive ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë, qytetarë, etj.

/rtsh.al/