RTSH 24 Live

Botë

Hakerohet sistemi i pagesave të forcave britanike, dyshime se pas sulmit kibernetik është Kina

07/05/2024

Hakerohet sistemi i pagesave të forcave britanike, dyshime se pas sulmit kibernetik është Kina

Qeveria britanike dyshon se pas sulmit kibernetik ndaj sistemit të pagesave të forcat e armatosura të vendit qëndron kina. 

Sistemi në fjalë që përdoret nga Ministria e Mbrojtes përfshin emrat dhe të dhënat bankare të personelit të forcave të armatosura, dhe në disa raste adresat e tyre personale.

Sistemi në fjalë është menaxhuar nga një kontraktor i jashtëm, por ndërkohë bëhet me dije se nuk është arritur të merret ndonjë e dhënë operacionale e Ministrisë së Mbrojtjes.

E ndërsa ende zyrtarisht nuk është dalë në përfundimin se kush është pas këtij sulmi kibernetik dhe nëse dyshimet se Kina është përgjegjëse për të janë të vërteta, për të mbledhur provat e mjaftueshme për të akuzuar vendin komunist, do të duhen muaj dhe në disa raste vite.

Në muajin mars qeveria britanike akuzoi publikisht kinën për autorësinë e sulmit kibernetik që në gusht të 2021-it shenjëstroi të dhënat e miliona votuesve që ndodheshin në sistemin e Komisionit zgjedhor.

Ndërsa në dhjetor të vitit të shkuar, qendra për sigurinë kombëtare kibernetike u shpreh se inteligjenca ruse ishte pas një aktiviteti kibernetik që u përpoq të ndërhynte në politikën dhe proceset demokratike të Mbretërisë së Bashkuar.

Gazetare: Elda Pepa