RTSH 24 Live

Ekonomi

Fruti i pasionit në Mjedë - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 150 dynymë

03/05/2024

Fruti i pasionit në Mjedë - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 150 dynymë

Nikolla, Paulini dhe Alfredi, 20 vite më parë braktisën emigrimin për t'u kthyer në vendlindje.

Me 1 dynym tokë, vëllezërit së pari eksperimentuan me disa variete fruta-perimesh, për të parë se cila prej tyre kanë më shumë prodhimtari.

Këtë vit për herë të parë vëllezërit synojnë të nxjerrin në treg edhe frutin e pasionit.

"Mbollëm disa rrënjë pjeshke për të testuar a e donte toka. E pamë që kjo punë kishte sukses dhe vazhduam duke e zgjeruar parcelën. Ky është viti i parë me frutin e pasionit dhe duam të shohim si do të shkojë në treg. Realiteti është që janë çmime shumë të larta. Zakonisht e marrin restorantet për kokteje, sepse nuk është frut që konsumohet si pjeshka apo qershia, në mënyrë të përditshme. Jashtë ka tepër kosto të lartë," thotë fermeri Paulin Ndoja.

Sot vellezërit janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në veri teksa kanë mbjellë mbi 150 dynymë tokë si dhe mbarështojnë rreth 250 krerë dele.

2 vitet e fundit Paulini është shpallur si fermeri I vitit në qarkun Shkodër. Po ashtu ka arritur të jetë përfitues në disa kategori subvensionesh

"Qeveria na ka ndihmuar me subvencionet, duke na dhënë shtysa për të shtuar dynymët. Jam shumë i kënaqur edhe për naftën e subvencionuar," shprehet z. Ndoja.

Sot tre vëllezërit nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës janë kryefjalë e furnizimit të tregut me disa lloje artikujsh.

/rtsh.al/