RTSH 24 Live

Aktualitet

Drejtësia e kërcënuar - 13 magjistratëve u janë vendosur truproja

06/05/2024

Drejtësia e kërcënuar - 13 magjistratëve u janë vendosur truproja

Shpërthimi me tritol në banesën e prokurorit të Shkodrës Tonin Sterkaj shënoi rastin më të fundit të kërcënimeve ndaj një aktori të drejtësisë në vend. Pak ditë më parë, Komisioni për mbrojtjen e Prokurorëve shtoi Sterkajn në listën e magjistratëve që duhet të ruhen me truproja nga njësia speciale e njohur me emrin RES. Në të njëjtën mbledhje, komisioni zgjati edhe me 6 muaj mbrojtjen e prokurorit të Elbasanit, Ridvan Suka, i cili prej afro dy vitesh po ruhet nga forcat special si shkak i hetimeve të grupeve kriminale në këtë qytet.

Rasti i Sterkaj e çon në 13 numrin e magjistratëve në vend të vënë nën mbrojtje pas kërcënimeve të marra si verbale, atentateve me armë e deri tek veprimet e finalizuara nëpërmjet lëndëve shpërthyese. 

Kjo metodë u përdor edhe ndaj çiftit të magjistratëve, prokurorit Arjan Muça dhe bashkëshortes së tij, gjyqtares së Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentiana Muça, makina e të cilëve u bë objekt i një shpërthimi në vitin 2021.

Përsa u përket statistikave, gjysmën e listës, konkretisht me 6 prokurorë e gjykatës të kërcënuar e të vënë në mbrojtje e zë SPAK dhe GJKKO. Gjithashtu, kryeprokurori i Elbasanit, Krshnik Ajazi është marrë nën mbrojtje. Lista mbyllet me dy prokurorë të shkarkuar nga KPK, por ende pa marrë një vendim përfundimtar të vettingut dhe që kanë rënë pre e sulmeve të grupeve kriminale, Merita Selimi për hetimin e bandës së Lushnjës si dhe Arjan Ndoji, prokurorit të Durrësit ndaj të cilit u bë edhe një atentat ku mbeti i plagosur, dhe u vra shoferi i tij.

Kërkesave në rritje për marrjen në ruajtje të njerëzve të drejtësisë, i janë përgjigjur edhe institucionet e zbatimit të ligjit. Në fund të vitit të kaluar u dyfishua numri i forcave speciale të njësisë RES. Nga 49 forca struktura e Njësisë së Mbrojtjes së Veçantë u bë me 103 persona.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh/