RTSH 24 Live

Aktualitet

Dita e Lirisë së Shtypit - Gazetarët thonë se duhet ende punë për të bërë

03/05/2024

Dita e Lirisë së Shtypit - Gazetarët thonë se duhet ende punë për të bërë

Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet nga ardhja e demokracisë në vend media ende nuk ka arritur të jetë e lirë dhe e pavarur.

Janë të shumta problemet që shqetësojnë ende gazetarët dhe punonjësit e medies në Shqipëri.

Në këtë ditë që përkon me 31-vjetorin e shpalljes së 3 Majit si Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, një nga pjesëtaret e komunitetit të gazetarëve në Gjirokastër, Kristina Fidhi, ndan opinionin e saj.

Ndërsa shprehet pozitivisht mbi vëmëndjen që i kushtohet kërkimit në thellësi të lajmit dhe qasjes së medies investigative ajo e vë theksin tek presioni që ka nga politika.

"Në Shqipëri sot ka ende gazetarë që paguhen në të zezë dhe nëse nuk kemi liri individuale për gazetarët nuk mund të flasim për lirinë e fjalës së tyre, nëse nuk ka integritet nuk mund të ketë liri të fjalës. Jemi shumë shpesha viktima të misionit të medies nga politika, gjithë e më prezente. Kemi varësi të dukshme të medies edhe nga presioni i pushtetit vendor, qendror..." thotë znj. Fidhi.

Një tjetër problematikë që përçon Fidhi si gazetare me përvojë mbi 20-vjeçare është edhe ajo e uljes së numrit të gazetarëve, çka ka sjellë sipas saj edhe mungesën e raportimit të ngjarjeve nga qytetet e vogla.

"Kemi më pak gazetarë në rrethe, sidomosnë qytete të vogla, të cilat ngelen tërësisht të pambuluara. Kemi pak medie lokale dhe territore të tëra pa zëra të fjalës së lirë, ngjarje dhe realitete të paraportuara, sepse kemi një tkurrje të numrit të gazetarëve e medieve," shprehet znj. Fidhi.

Apeli që vjen në këtë ditë nga gazetarët gjirokastritë:

"Thuajeni fjalën e lirë. Fjala e lirë është e lidhur me të vërtetën. Thoni të vërtetën, sepse i bëni një shërbim të madh komunitetit, lirisë dhe demokracisë," shton gazetari Odise Kote.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/