RTSH 24 Live

Ekonomi

Denaj nga Gramshi: Kultivimi i bimëve medicinale po zhvillojnë ekonominë lokale

01/05/2024

Denaj nga Gramshi: Kultivimi i bimëve medicinale po zhvillojnë ekonominë lokale

Rreth 80% e familjeve në zonën e Kushovës e kanë të lidhur ekonominë familjare ngushtësisht me livandon, të cilën e kultivojnë e grumbullojnë në një sipërfaqe prej 400 hektarësh, një bimë medicinale e kërkuar mjaft nga tregjet e huaja. Në këtë zonë, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një bisedë me fermerët ku u diskutua mbi sfidat e sektorit dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve të grumbullimit, magazinimit dhe përpunimit, për të rritur vlerën dhe cilësinë e produktit.

Denaj u shpreh se në Skema Kombëtare të këtij viti i përgjigjet nevojave imediate të sektorit duke shtuar masën e financimit për Bimët Aromatike dhe Medicinale, me 30 mijë lekë për hektarë dhe synojmë ta zgjerojmë edhe më tej mbështetjen tonë me ndërtimin e politikave efikase promovimin dhe financimin e sektorit.

"Duhet ta adresojmë, sepse duhet patjetër që kjo pasuri kombëtare, që në tregjet ndërkombëtare shitet shumë shtrenjtë, të mos shitet lirë, të mos rrijë e pambjellë, por njëkohësisht të filloj të përpunohet. Kështu që gjithë industria e përpunimit të bimëve medicinale është ajo që ne duhet ta vendosim në fokus dhe unë si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e kam prioritare. Kjo ishte arsyeja pse ne filluam të subvencionojmë këtë vit skemën e bimëve aromatike dhe medicinale", tha Ministrja Denaj.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Ajazi, tha se kjo zonë është e njohur për kultivimin e bimëve medicinale dhe  vitet e fundit është promovuar brenda dhe jashtë vendit, duke e shfrytëzuar këtë mundësi për zhvillim ekonomik, por edhe për turizëm.

/rtsh.al/