RTSH 24 Live

Europë

BE dhe NATO dënojnë sulmet kibernetike ruse ndaj Gjermanisë dhe Republikës Çeke

03/05/2024

BE dhe NATO dënojnë sulmet kibernetike ruse ndaj Gjermanisë dhe Republikës Çeke

Bashkimi Evropian dhe NATO dënuan të premten sulmin kibernetik rus ndaj Gjermanisë dhe Republikës Çeke.

Deklarata e BE-së, e njoftuar nga shefi i punëve të jashtme të BE-së, Josep Borrel në emër të të 27 vendeve anëtare, tha se blloku “është i vendosur të përdorë të gjithë spektrin e masave për të parandaluar, penguar dhe për t’iu përgjigjur sjelljes dashakeqe të Rusisë në hapësirën kibernetike”.

Më herët, Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se Berlini ka fajësuar një njësi të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU për një sulm kibernetik të vitit 2023 ndaj socialdemokratëve të qendrës së majtë, të cilët formojnë koalicionin qeverisës me partnerët më të vegjël, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit (FDP).

“Fushata kibernetike keqdashëse tregon modelin e vazhdueshëm të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirën kibernetike, duke shënjestruar institucionet demokratike, entitetet qeveritare dhe ofruesit e infrastrukturës në të gjithë Bashkimin Evropian dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me Gjermaninë pas fushatës keqdashëse kibernetike kundër një partie politike, në këtë rast Partisë Socialdemokratike të Gjermanisë, dhe me Çekinë që ndjek aktivitetet keqdashëse kibernetike kundër institucioneve të saj”, sipas deklaratës së Aleancës ushtarake.

“Ne dënojmë fuqishëm aktivitetet kibernetike keqdashëse që synojnë të minojnë institucionet tona demokratike, sigurinë kombëtare dhe shoqërinë e lirë”, tha NATO.

/ rtsh.al /