RTSH 24 Live

Kulturë

“Në folenë e Shqiponjave”, RTSH sjell ciklin e ri të reportazheve nga çdo cep i Shqipërisë

30/04/2024

“Në folenë e Shqiponjave”, RTSH sjell ciklin e ri të reportazheve nga çdo cep i Shqipërisë

“Në folenë e Shqiponjave”, një cikël i ri nis të marrë jetë në ekranin publik, ku destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit tonë do të vijnë të servirura në mënyrë origjinale për të nxjerrë në pah vlerat jo vetëm natyrore, por edhe humane, ato të kulinarisë, traditave, kulturës dhe shumë detaje të tjera nga çdo cep i Shqipërisë.

28 748 km katrorë të vendit tonë magjik mbeten ende të paekspoluara dhe një mister për të huajt por jo vetëm, edhe për ata shqiptarë që prej vitesh jetojnë e punojnë jashtë kufijve, por edhe për shqiptarët e trojeve të tjera në Ballkan, e në RTSH 1 e RTSH 24 do të propozojmë dhjetëra destinacione te njohura, por edhe shumë të tjera ende të paekspoluara nga turizmi masiv.

“’Në folenë e Shqiponjave’ do të ketë në fokus shumë aspekte të turizmit shqiptar, jo vetëm atë turizëm që të gjithë shqiptarët njohin, pra detet, zonat më të populluara të plazheve shqiptare, por edhe shumë zona të paeksploruara”, u shpreh Olsi Karagjozi, redaktor përgjegjës i reportazheve.

Turizmi malor por edhe ai detar, nga Tropoja në Sarandë dhe nga Vlora në Korçë, ekrani publik do të transformohet gjatë gjithë javës në mjetin më të fortë audioviziv të vendit në mbështetje dhe promovim të aseteve turistike të Shqipërisë.

Sigurisht që do të fokusohemi në shumë detaje interesante që janë prekur edhe nga mediat ndërkombëtare, por nuk janë detajuar le të themi. Ne do të jemi aty, do ta marrim intervista nga protagonistë në ndryshëm, nga banorë të zonës”, tha Karagjozi.

Ky vit ka nisur me një fluks edhe më të shtuar turistësh e ky është tregues i potencialit në rritje që ka Shqipëria për të zhvilluar turizmin elitar, atë masiv por edhe atë sezonal dhe RTSH do të jetë përherë aty, në krah të misionit për t’i dhënë vendit tonë imazhin që meriton.

/rtsh/