RTSH 24 Live

Botë

"Hamasi nuk na la zgjidhje." Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga Rafahu

06/05/2024

"Hamasi nuk na la zgjidhje." Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga Rafahu

Një operacion ushtarak "kohëshkurtër" i paralajmëruar nga Izraeli bëri të hënën të nisë evakuimi i popullatës në qytetin e Rafahut në Gazë.

Urdhri i ushtrisë erdhi pasi katër ushtarë izraelitë mbetën të vrarë dhe tetë të tjerë të plagosur nga shkëmbimi i zjarrit në kufirin me zonën palestineze.

Rajoni i Rafahut është strehë e më shumë se 100 mijë palestinezëve, sipas shifrave të ushtrisë. Banorët në lindje të qytetit përgjatë kufirit me Egjiptin u njoftuan me mesazhe nga ajri dhe me telefon se duhet të largoheshin nga zona drejt Kan-Junisit në Al-Mavazi. Ndërkohë pas vrasjeve në kufi, Izraeli njoftoi edhe mbylljen e pikëkalimit të Kerem-Shalomit.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Kax (o. Katz), deklaroi se qëllimi i luftës në Gazë mbetet i njëjti: lirimi i të gjitha pengjeve dhe mposhtja e Hamasit.

"Negociatat me Hamasin arritën deri në lëshime të rëndësishme nga ana jonë, por organizata i ka refuzuar ato në mënyrë të përsëritur," shkroi ai në rrjetin X. Ndërsa kolegu i Ministrisë së Mbrojtjes, Joav Galant (o. Yoav Gallant) i tha homologut të tij amerikan se "Hamasi nuk na la zgjidhje tjetër" për ofensivën në Rafah.

Të hënën, në orën 10:00 në Izrael ra heshtja prej Ditës së Kujtimit të Holokaustit, në nder të miliona hebrenjve të vrarë.

Mediet izraelite postuan video të një personi që ndërpreu ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule nga kryeministri Benjamin Netanjahu.

"Sa shenja i duhen një kryeministri që të shkojë në shtëpi," raportohet se thirri qytetari, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Që nga nisja e luftës më 7 tetor 2023, mbi 34 mijë palestinezë raportohet të jenë vrarë në Gazë, ndërsa mbi 1.100 janë shpallur të vrarë në shtetin e Izraelit. /AJ, Haaretz

/rtsh.al/